Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përmes disa postimeve në Twitter e ka paraqitur një qëndrim më të zbutur për abortin në krahasim me ligjin e miratuar nga qeveria e Alabamas.
Alabama tashmë e lejon abortin vetëm nëse rrezikohet seriozisht shëndeti i nënës dhe nuk bën përjashtime as për rastet e dhunës seksuale dhe incestit. Sidoqoftë, presidenti tha se nuk është kundër abortit në rastet kur ka pasur dhunë seksuale dhe incest.
“Siç e dinë shumica dhe për ata që duan ta dinë, unë jam fuqishëm pro jetës, me tri përjashtime – dhuna seksuale, incesti dhe mbrojtja e jetës së nënës, njësoj siç ka menduar edhe Ronald Reagan”, shkroi Trump në Twitter.
Ai tha se aborti do të jetë një nga çështjet kryesore të fushatës së tij për mandatin e dytë presidencial.
“E majta radikale ka ndërhyrë në këtë çështje përmes abortit në kohë të vonuar. Ne duhet të bëhemi bashkë dhe të fitojmë për jetën më 2020. Nëse tregohemi budallenjë dhe nuk qëndrojmë të bashkuar si një, të gjitha përpjekjet tona për jetën do të zhduken shpejt”, shtoi ai.
Gjatë fushatës së vitit 2016, presidenti amerikan ishte pyetur nga një gazetar i gazetës “New York Times” nëse ai kishte pasur marrëdhënie me ndonjë person që ka përjetuar abort.
Presidenti nuk ishte përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë, por vetëm kishte thënë se kjo ishte një pyetje interesante, shkruan “The Guardian”.