“Kina do të bëjë gjithçka që ka brenda mundësive që unë ta humbas këtë garë”, ka thënë ai për agjencinë e lajmeve Reuters.
Retorika e tij e ashpërsuar kundruall Pekinit ka shënuar një fazë të re në përpjekjen për t’i riformësuar zgjedhjet, të cilat edhe ashtu kanë ndryshuar formë si rrjedhojë e pandemisë së koronavirusit. Dhe krejt kjo sinjalizon për periudhë akoma më të sertë në marrëdhënien telasheshumë midis dy ekonomive më të mëdha të globit.
Ashpërsimi i retorikës
Fushata e Trumpit kishte planifikuar që ta shndërronte ekonominë amerikane në lulëzim në epiqendër të sajën, por kjo mundësi tanimë është tretur krejtësisht. Dhe sondazhet janë duke reflektuar rënien e vazhdueshme të mbështetjes për presidentin edhe në shtetet më besnike të tij, shkaku i kritikës për mënyrën e tij të menaxhimit me krizën e virusit korona.
Strategjia aktuale republikane është që të sulmohet ish-nënpresidenti Joe Biden, i nominuari i presupozuar i partisë demokrate. Aleatët e Trumpit në Komitetin politik të “American First Action” (AFA) kanë ndërmarrë fushatë reklamuese me sloganet “Bideni i Pekinit”.
Bideni u kundërpërgjigj, duke e akuzuar presidentin se po mundohet që ta devijojë fajin për përgjigjen e tij të ngadaltë ndaj pandemisë dhe se u ka besuar së tepërmi informatave të hershme të Kinës lidhur me virusin.
Element i përbashkët i këtyre dy qëndrimeve skajshmërisht të kundërta është se të dy fushatat besojnë se është mënyrë e mirë politike që të argumentojnë se “njeriu” i tyre është më i fuqishmi, për sa i përket ballafaqimit me Pekinin.