Trajneri i Bayern Munich, Thomas Tuchel, ka deklaruar pas barazimit ndaj Real Madridit se beson plotësisht që skuadra e tij mund ta fitojë ndeshjen e kthimit për t’u kualifikuar në finale të Ligës së Kampionëve.
Tekniku gjerman theksoi që Bayerni nuk ishte konkret sa duhet për të gjetur edhe golin e tretë dhe në anën tjetër e fali penalltinë që vulosi rezultatin final, 2:2.
“Rezultati është ky që është, nuk duhet të mendojmë më për këtë. Real Madridi edhe në të kaluarën ka shënuar dy gola në dy raste. Nuk jemi skuadra e parë që e vuajmë këtë. Ata e kanë kualitetin për të bërë një gjë të tillë”, deklaroi Tuchel.
“Ne patëm një start shumë të mirë por më pas e humbëm disi ritmin. Duhet të shënonim edhe golin e tretë por nuk ishim konkret sa duhet dhe më pas ua falëm një penallti”, shtoi ai.
Sipas Tuchel, gjasat për finale janë krejtësisht të barabarta mes dy skuadrave.
“Sitauta është shumë e qartë. Shkojmë në Madrid dhe fituesi shkon në finale. Jemi të gatshëm të luftojmë, është e rëndësishme të besojmë”.
“Gjasat janë 50-50. Është një ndër stadiumet më të vështira për të fituar dhe një gjë e tillë e bën këtë sfidë akoma më tërheqëse”, u shpreh Tuchel.
Ndeshja e kthimit zhvillohet të mërkurën e ardhshme prej orës 21:00 në “Santiago Bernabeu”.