Turqia ka zbuluar rreth 320 miliardë metra kub të gazit natyror në gjirin e Detit të Zi, ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan më 21 gusht, duke e konsideruar këtë gjë “si lajm të mirë të një rëndësie historike” për shtetin që varet pothuajse krejtësisht nga energjia e importuar.
“Turqia ka bërë zbulimin më të madh në histori të gazit natyror në Detin e Zi”, ka thënë Erdogan në një fjalim televiziv nga Stambolli.
Megjithatë, analistë të industrisë kanë thënë se ndonëse sasia është e madhe, ajo nuk do ta kthejë Turqinë në zonë rajonale të energjisë, dhe nuk do të ndikojë në pasurinë e shtetit.
Anija e shpimit Fatih ka gjetur depozitën në zonën e gazit, Sakarya në qytezën verilindore, Zonguldak, ka thënë Erdogan, duke shtuar se Ankaraja planifikon të dërgojë gazin për tregun e brendshëm nga viti 2023.
Fatih, apo Pushtuesi, është anija e parë e shpimit e Turqisë, e cila mban emrin sipas Sulltan Mehmetit II, i cili ka sjellur Konstadinopojën – Stambollin e ditëve të sotme – nën regjimin otoman më 1453.
Turqia ka qenë në kërkim të hidrokarbureve në Detin e Zi dhe Detin Mesdhe – ku së fundmi me veprimet e saj në ujërat e kontestuar ka nxitur reagime të Greqisë dhe Qipros.
Megjithatë, presidenti turk ka thënë se vendi që drejton ai do të shpejtojë operacionet në Mesdhe.
Importet e energjisë së Turqisë më 2019 kanë prekur shifrën e 41 miliardë dollarëve, sipas të dhënave qeveritare.
Ky shtet ka importuar më shumë se 45 miliardë metra kub të gazit natyror vitin e kaluar – kryesisht nga Rusia.
Analistët paralajmërojnë se mund të marrë vjet dhe miliarda dollarë investime para se Ankaraja të nisë prodhimin e gazit.