Pas paralajmërimeve nga Donald Trump se Amerika do t’i vendosë sanksione të ashpra Turqisë në qoftë se nuk ndalojnë sulmet mbi kurdët reagon dhe shteti turk.
Në një intervistë për BBC Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu shprehet se nuk tremben nga sanksionet që do t’i vendosen dhe se nuk kanë ndërmend të ndalojnë sulmet e nisura.
Ai gjithashtu shprehet se siguria kombëtare është prioriteti numër një dhe pret që aleatët të bashkohen me qëndrimin e Turqisë.
Kujtojmë që pas tërheqjes së ushtrisë amerikane nga kufiri mes Sirisë dhe Turqisë një javë më parë, kjo e fundit dërgoi forcat e veta për të luftuar kurdët. Synimi i tyre është t’i sprapsë nga kufiri i tyre duke mos i lejuar të konsolidojnë një shtet të tyren.
Por aktet e Turqisë patën reagime dhe nga Trump i cili deklaroi se do të vendoste sanksione shumë të larta në eksportimin e mallrave mes dy vendeve sidomos ato të municioneve ushtarake, nëqoftëse ato vazhdojnë sulmet.