Fjalë Kyçe

U.d. i kryeshefit të AZHB’së ishte emëruar nga Besian Mustafa, bastisje edhe në tri komuna të LDK’së

U.d. i kryeshefit të AZHB’së ishte emëruar nga Besian Mustafa, bastisje edhe në tri komuna të LDK’së

Policia e Kosovës në mëngjesin e sotëm zhvilloi një aksion në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Aty janë arrestuar katër zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), duke përfshirë edhe U.d. të kryeshefit, i cili ishte emëruar në këtë pozitë para një viti nga ministri aktual i Bujqësisë, Besian Mustafa. Aksioni ka vazhduar edhe në katër komuna të vendit, tri prej të cilave drejtohen nga kryetarë të LDK’së.

Policia e Kosovës në mëngjes shkoj në zyret e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë ku arrestoi ushtruesin e detyrës së kryeshefit, Agim Nuha, dhe tre zyrtarë tjerë, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur.

Nuha dhe tre të tjerët dolën të prangosur nga objektin dhe u morën nga policia. Sipas raportimeve dyshimet e para janë se ata kanë keqpërdorur subvencione.

Por kush është Agim Nuha?

Gazeta Online “Reporteri.net”, kishte raportuar më 27 shkurt të vitit 2020 se Agim Nuha emëruar në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Emërimi ishte bërë nga Besjan Mustafa i LDK-së që ishte ministër i Bujqësisë në Qeverinë Kurti 1.

Nuha para se të ngritej në postin e u.d. të kryeshefit të AZHB-së, kishte qenë drejtor për Financa në këtë Agjenci.

Policia bastisi edhe në tre komuna të LDK-së…

Por bastisje nuk ndodhën vetëm në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, por edhe në tre komuna të vendit që drejtohen nga LDK-ja.

Policia sot kreu operacione edhe në komunën e Istogut, Gjilanit dhe Lipjanit. Në komunën e Istogut mediat raportojnë se janë ndaluar dy persona.

Aksionin e policisë që u zhvillua në komunën që udhëheq e ka konfirmuar kryetari i Istogut, Haki Rugova, i cili e ka quajtur rutinor.

Policia kreu aksion edhe në komunën e Lipjanit. Por kreu i kësaj komune, Imri Ahmeti, në një prononcim për Reporteri.net ka thënë se në Administratën e Komunës që drejton nuk është kryer ndonjë aksion i policisë.

“Jo në komunë, në administratën e komunës nuk është duke ndodhur asnjë aksion i policisë, në shtëpia private nuk e di”, ka thënë ai për Reporteri.net.

Reporteri.net ka kontaktuar edhe drejtorin e Bujqësisë në komunën e Gjilanit, Ramiz Ramadani, i cili ka mohuar se është kryer ndonjë aksion në komunë.

“Jo, aksioni nuk lidhet me komunën dhe drejtorinë që udhëheq”, ka thënë ai shkurt për Reporteri.net.

Ndryshe, lajmin për bastistjen në MBPZHR e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani për Reporterin.

Kelani ka thënë se informacione shtesë rreth këtij aksioni do të jepen pas përfundimit të operacionit.

“Mund të konfirmojmë se, Policia e Kosovës është duke e realizuar një operacion policor në disa lokacione, në rajone të ndryshme. Informacione shtesë mund të jipen pas përfundimit të operacionit policor”, ka thënë Kelani.

Aksioni në Ministrinë e Bujqësisë në Prishtinë ka përfunduar dhe policia pritet më vonë të jape detaje të hollësishme për aksionet që kreu sot, lidhur me zyrtarët që u arrestuan dhe dyshimet që bien mbi ta.