Fjalë Kyçe

U la jashtë Kryesisë, reagon Murtezaj: Kjo sjellje e shëmtuar nuk i takon shpirtit dhe frymës së LDK-së

U la jashtë Kryesisë, reagon Murtezaj: Kjo sjellje e shëmtuar nuk i takon shpirtit dhe frymës së LDK-së

Javën e kaluar Lidhja Demokratike e Kosovës përmbylli procesin zgjedhor brendapartiak. U lanë jashtë disa figura të njohura.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së poashtu u zgodh edhe kryesia e partisë.

Mes freskimeve të reja e mbetjes jashtë të disa emrave të njohur, LDK përmbylli procesin e brendshëm zgjedhor.

Ndër ata që mbeten jashtë ishte edhe profesori Valon Murtezaj.

Ai përmes një shënimi në Facebook ka thënë se mospërfshirja në përbërjen e Kryesisë së LDK-së, nuk ishte aksidentale.

“Mospërfshirja në përbërjen e Kryesisë së LDK-së, nuk ishte aksidentale, ishte e shenjëstruar. Kjo sjellje e shëmtuar nuk i takon shpirtit dhe frymës së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shpirti Rugovian nuk e duron këtë”, ka shkruar Murtezaj.

“Liria dhe Demokracia, respekti për mendimin e lirë (pa pasur pasoja), respektimi i rregulloreve, statutit dhe ligjeve, vlerësimi i profesionalizmit dhe etikës në punë, janë vlera më të rëndësishme në një organizatë bashkëkohore të kohës sonë”, shtoi ai.

Ish-zëvendësministri thotë se do te mbetet një zë që me vendosmëri i thotë mendimet e veta si njeri i lirë.

“Nga përvoja e di që nuk mund t’i japësh dikujt atë çfarë nuk ka kapacitet ta pranojë, e kuptoj dhe kam empati për këtë përplasje të civilizimeve. Por, jam i pakompromis për Kosovën evropiane, ku dinjiteti, liria dhe demokracia janë të vlera humaniste që ju takojnë të gjithëve”.

Ai thotë se shkelja e normave demokratike nuk ka vend në Kosovë.

“Ndërgjegjja ime është humane, qëndron zgjuar, dhe nuk ka forcë a sjellje autokrate e despotike që mund ta shuajë. Mentaliteti im nuk është korruptiv dhe shpirti im nuk është profiter.

Nuk ik nga nata, se dua ta bëjë ditë. Unë jam i Kosovës, dhe këtu do të jem deri sa mali të bëhet hi, e hiri mal përsëri”, ka shtuar në fund Murezaj.