Ka shkuar në nëntë sot numri i të vdekurve si pasojë e pandemisë Covid-19, në Kosovë, e që së fundmi u bë e ditur se viktima e sotme ka shënuar vdekjen e parë në Suharekë, konkretisht në fshatin Semetisht.
Numri i të vdekurve nga ky virus në Kosovë, ka filluar të rritet në prill, ku vetëm në gjysmën e parë të këtij muaji janë regjistruar tetë viktima, ndërsa viktima e parë u konfirmua më 22 mars, që doli të jetë 86 vjeçari nga Podujeva, njëherësh edhe viktima më e vjetër në moshë.
Me konfirmimin e vdekjes së nëntë nga koronavirusi në vendin tonë, i cili kishte edhe probleme të tjera kardiake, rezulton se në Kosovë të gjithë viktimat nga kjo pandemi kishin probleme të tjera shoqëruese, që nënupton se asnjë nga ta nuk ka vdekur vetëm si pasojë e virusit korona.
Kjo është bërë e ditur pas çdo njoftimi të bërë nga QKUK’ja lidhur me viktimat e regjistruara nga Covid-19 në vendin tonë.
“Në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive, mbrëmë pas mesnatës ka ndërruar jetë pacienti 69 vjeçar nga komuna e Sukarekës, i cili ishte pranuar me 10/04/2020 në gjendje të rëndë dhe kishte edhe probleme kardiake”, thuhet në komunikatën e fundit të QKUK’së.
Ndërkaq, njoftime të ngjashme janë bërë edhe për të infektuarit të tjerë tashmë të ndjerë nga ky virus, të cilët vijnë nga zona të ndryshme të Kosovës.
Ndonëse me sëmundje të tjera, viktima më e re në moshë nga koronavirusi është 39 vjeçarja nga Istogu e cila ndërroi jetë më 13 prill, vetëm një ditë pasi ishte diagnoztifikuar me Covid-19.
Kujtojmë se para pak minutash drejtoresha e Klinikës Infektive,Lindita Ajazaj ka mbajtur konferencë për media, ku është deklaruar rreth gjendjes së pacientëve të shtruar në këtë klinikë nga koronavirusi, si dhe për mostrat e reja të cilat dyshohet se mund të jenë me Covid-19,e që Ajazaj thotë se shumë shpejt do të dalin me rezultate dhe pervojat e tyre.