Kombëtarja shqiptare e ka zhvilluar pasditen e djeshme seancën e radhës stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, në kuadër të ndeshjeve ndaj Anglisë dhe Andorrës.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në seancën e djeshme lojtarët ishin në dispozicion të trajnerit Sylvinho dhe e morën ngarkesën e plotë, ndërsa Marash Kumbulla u stërvit i veçuar për shkak të një problemi fizik.
Në bisedimet mes ekipit mjekësor të Kombëtares dhe klubit të lojtari, është rënë dakord që ai t’i nënshtrohej një trajtimi të programuar, të cilin e ka aplikuar ditën e diel dhe i është rekomanduar pushim dy-ditor.
Para seancës stërvitore të radhës, që do të mbahet sot, do të bëhet vlerësimi për gjendjen e lojtarit dhe do të vendoset nëse do t’i bashkohet skuadrës në stërvitje.
Stërvitja e së martës nisi me punën në palestër e më pas trajneri Sylvinho së bashku me ekipin i provuan disa situata të ndryshme loje dhe ana taktike.
Seanca e radhës stërvitore e Kombëtares do të zhvillohet sot në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa pasditen e sotme ekipi do të udhëtojë drejt Londrës.
Të enjten kuqezinjtë do t’i mbyllin edhe zyrtarisht përgatitjet për ndeshjen ndaj Anglisë, që do të luhet të premten në “Wembley Stadium”, në orën 20:45.