Samir Ujkani e ka lavdëruar bashkëkombësin e tij, Valon Berisha, i cili u rikthye së fundmi nga lëndimi. Portieri kosovar mendon se mesfushori luftarak mund të japë shumë tek Lazio
Një sezon i ri është gati të fillojë, shkruan Gazeta Express.
Lazio është duke u përgatitur për sfidat e reja nën drejtimin e Simone Inzaghit.
Trajneri italian tash e tutje do ta ketë në dispozicion edhe Valon Berishën, futbollistin kosovar, i cili sezonin e kaluar e pati të zbehtë pasi nuk e lanë rehat lëndimet.
Tash, mesfushori luftarak është rikthyer dhe synon ta japë kontributin e tij në kryeqytetin italian.
Dhe, atij i ka dhënë “kredite” bashkëkombësi i tij, Samir Ujkani, i cili pjesën më të madhe të karrierës e kaloi në Itali.
Portieri kosovar beson se Berisha do të japë kontribut të madh tek Biancocelesti sezonin e ardhshëm.
“Sezonin e kaluar, Berisha i ka pasur disa lëndime. Ai mund të bëjë mirë, është i fortë dhe ka eksperiencë. Valoni mund t’i japë shumë Lazios”, ka thënë Ujkani për portalin italian, “Tuttomercatoweb.com”.