Ukraina dhe Rusia kanë këmbyer 90 të burgosur të luftës, thanë zyrtarët të martën, më 25 qershor.
Ky është këmbimi më i madh mes dy shteteve në pothuajse pesë muaj.
Moska dhe Kievi kanë kryer mbi 50 këmbime të të burgosurve që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës mbi dy vjet më parë, pavarësisht armiqësive që po vazhdojnë.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndërmjetësuar marrëveshjen e fundit për këmbimin e të burgosurve.
“Sot, 90 qytetarë tjerë tanë janë kthyer në shtëpitë e tyre nga robërimi rus”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Ne nuk i harrojmë të gjithë njerëzit tanë që janë nën robërimin rus. Ne vazhdojmë të punojmë për lirimin e secilit prej tyre”, shtoi ai.
Rusia tha se 90 ushtarët e saj “që ishin në rrezik për jetë gjatë mbajtjes në robëri, janë kthyer nga territori që kontrollohet nga regjimi i Kievit”.
Të burgosurit e liruar rusë më pas do të dërgohen në Moskë “për trajtim dhe rehabilitim”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes, duke konfirmuar se Rusia ka liruar në këmbim 90 ushtarë ukrainas.
Në këmbimin e fundit, që ndodhi në fund të majit, Moska dhe Kievi këmbyen 75 të burgosur. Edhe ai këmbim u realizua me ndërmjetësimin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ndërkaq, në shkurt të dyja palët thanë se kanë këmbyer 100 të burgosur, në këmbimin e parë të të burgosurve që kur Moska akuzoi Kievin për rrëzimin e një avioni që bartte ushtarë ukrainas të zënë rob.