Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Kievi është gati të diskutojë miratimin e një statusi neutral.
Gjatë një interviste për median e pavarur ruse, Zelensky theksoi se në rast dakordësie për neutralitet, së pari Ukraina duhet të marrë garanci nga palët e treta.
Zelensky tha se populli ukrainas do të pyetet nëpërmjet një referendumi nëse dëshiron statusin e neutralitetit.
“Garanci për sigurinë, regjimi jo bërthamor, ne jemi të gatshëm të diskutojmë për neutralitetin. Kjo është pika më e rëndësishme,” thotë Zelensky.
Udhëheqësi ukrainas, duke folur në rusisht tha se pushtimi rus ka shkaktuar shkatërrimin e qyteteve rusishtfolëse në Ukrainë.
Përdorimi i gjuhës ruse në Ukrainë është diçka që është diskutuar gjatë bisedimeve të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë, raporton Reuters.
Megjithatë Zelensky tha se Ukraina ka refuzuar të diskutojë kërkesat e tjera ruse, siç është çmilitarizimi i Ukrainës.