Fjalë Kyçe

Ukraina mund të mbetet pa organizimin e turneut kualifikues të “Botërorit 2020”, shkak Kosova

Ukraina mund të mbetet pa organizimin e turneut kualifikues të “Botërorit 2020”, shkak Kosova

Ukraina nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe nuk i lejon sportistët kosovarë të futen në territorin e saj

Për shkak të Kosovës, Ukraina mund ta humb të drejtën e organizimit të fazës së grupeve të Kampionatit Botëror të Futsallit 2020, shkruajnë mediat ukrainase, përcjell Gazeta Express.

Ndeshjet e raundit kryesor kualifikues do të mbahen në Ukrainë në tetor të vitit 2019.

Grupi i Kosovës i përfshin edhe Ukrainën, Slloveninë dhe Maqedoninë.

Ukraina nuk e ka pranuar Kosovën si shtet dhe nuk i lejon qytetarët kosovarë të futen në territorin e saj.

Në të kaluarën kishin ndodhur raste të tilla, për shembull në vitin 2015, kur klubi i hendbollit Prishtina nuk ishte lejuar të futej në territorin ukrainas.

Më pas të dyja ndeshjet ishin zhvilluar në Kosovë.

Gjithashtu, edhe ndeshja kualifikuese e Botërorit 2018 ndërmjet Ukrainës dhe Kosovës ishte zhvilluar në terren neutral, raporton Gazeta Express.

Po ashtu, dueli ndërmjet Ukrainës dhe Kosovës në kualifikimet e Eurobasket ishte zhvilluar jashtë Ukrainës.

Tash gjërat kanë ndryshuar pasi institucionet më të larta të sportit po i kushtëzojnë vendet organizatore të turneve të ndryshëm që ta pranojnë pa kushte Kosovën.

Andaj, ukrainasit frikësohen se mund ta humbin organizimin e kësaj faze kualifikuese të Botërorit të Futsallit nëse Qeveria ukrainase nuk i lejon kosovarët të futen në territorin e tyre.

Nëse kjo ndodh, ka gjasa që UEFA të vendos që ky turne të mbahet në një vend tjetër evropian.