Studentët në Tetovë protestuan edhe sot. Ata marshuan në këmbë nga qendra e qytetit deri tek UShT-ja dhe dhanë ultimatum 7 ditë.
Brenda këtyre 7 ditëve nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre ata sërish do të kthehen në rrugë.
“Që sot, ne bashkërisht ju themi se keni afat kohor prej 7 ditësh që të reflektoni të filloni me plotësimin e kërkesave tona, dhe këta t’i bëni publike edhe për opinionin. Në të kundërtën nuk kemi rrugë tjetër përveç të takohemi përditë këtu në shesh, përpara Rektorateve të universiteteve dhe përpara Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, u shprehën studentët.
Studentët thonë se kanë pasur kërcënime nga më të ndryshmet, por këto kërcënime sipas tyre nuk i ndalojnë të kërkojnë të drejtat e tyre studentore. “Besoj se do vazhdojmë me protesta deri sa të merren parasysh kërkesat tona dhe plotësimin e kushteve të cilat ne i kemi kërkuar. Kemi pasur presione të ndryshme, por ne nuk do të ndalemi pa marrë parasysh kërcënimet”, thanë studentët.
“Kërcënime ka pasur, edhe nga profesorët edhe nga militantë politikë që mos dalim të realizojmë kërkesat tona”, u shpreh studenti.
Nga UT-ja thonë se kërkesat ende nuk kanë arritur në rektorat, kështu që kërkuan që ato të dorëzohen në mënyrë institucionale.
“I ftojmë studentët e Universitet të Tetovës, të hynë në mënyrë institucionale dhe t’i parashtrojnë kërkesat e tyre. Për studentët tjerë që janë të universiteteve tjera nuk jemi kompetentë për zgjidhjen e kërkesave të tyre. Ne ende nuk kemi kërkesë në mënyrë institucionale që t’ju përgjigjemi kërkesave tuaja. Universiteti është i hapur, është i Juaji ju ftoj që në amfiteatër të ulemi jo për të bërë pazare, të ulemi t’i diskutojmë problemet për të cilat i kemi”, tha Kushtrim Ahmeti USHT.
Me parulla dhe të brohoritura, studentët kërkojnë përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe jetës universitare në vend.
Ndalimi i shitjes së notave dhe blerja e librave me detyrim, janë disa ndër 15 kërkesat që studentët ia drejtojnë Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Tetovës, atij të Europës Juglindore si dhe universitetit “Nënë Tereza”.
Studentët kërkojnë gjithashtu edhe ndalimin e nepotizmit në universitete, largimin e profesorëve që brenda institucioneve arsimore kanë kryer vepra penale, rishikimin e titujve akademikë dhe verifikimin për plagjiaturë.
Madje në kërkesat e tyre ata ankohen edhe për profesorë që kërkojnë favore seksuale.