Largimi i Jose Mourinhos nuk e ka garantuar aspak të ardhmen e Paul Pogba te Manchester United, pasi drejtuesit e “Djajve të Kuq” janë të bindur të largojnë kampionin e botës gjatë merkatos së verës së ardhshme.
Mesfushori francez iu bashkua Manchester Unitedit në verën e 2016-ës, por që atëherë nuk është ngritur asnjëherë në nivelin e pritshmërive, duke ofruar paraqitje me oshilacione dhe duke krijuar edhe probleme në dhomat e zhveshjes.
Drejtuesit anglezë po negociojnë me ata të Juventusit në Itali, për të bërë të mundur rikthimin e Pogba në Torino, gjë të cilën e ka kërkuar edhe vetë futbollisti, ndërsa orët e fundit janë hedhur hapa më konkretë.
Kjo pasi klubi anglez ka kërkuar shërbimet e brazilianit Douglas Costa, i cili nuk shihet si titullar i padiskutueshëm nga Allergi dhe Ed Woodward po kërkon me ngulm të futë sulmuesin në marrëveshjen për transferimin e Pogbasë, transmeton SS.
Nga ana tjetër, edhe te Juventusi u pëlqen ideja, pasi do të largonin një futbollist që luan vetëm gjysmën e takimeve gjatë vitit dhe për më tepër do të rikthenin Pogbanë duke paguar një sasi të vogël parash.