Fjalë Kyçe

Urdhërohet arrestimi i biznesmenit të njohur shqiptar, ai ja mbath në Angli

Urdhërohet arrestimi i biznesmenit të njohur shqiptar, ai ja mbath në Angli

Helidon Gjikoka, biznesmeni i kompleksit turistik “Ambel Beach” është shpallur në kërkim, pasi gjykata e Tiranës, caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”. Kërkesa për caktimin e kësaj mase është bërë në gjykatë nga Prokuroria e kryeqytetit, e cila pas hetimeve të kryera konstatoi se Helidon Gjikoka, ishte implikuar në falsifikimin e dokumentave, ku ka tjetërsuar në mënyrë të paligjshme dhe i ka marë pronën një personi tjetër në Dhërmi.

Kërkesa për arrestimin e Helidon Gjikokës, ishte depozituar një muaj më parë, por për shkak të dekonspirimit të informacionit në gjykatë, mësohet se ai, ka mundur të largohet nga Shqipëria në drejtim të Anglisë, duke mos arritur të arrestohet nga policia e Tiranës.

Ndërkohë për këtë çështje penale pritet që gjatë kësaj jave, nga ana e policisë dhe prokurorisë së Tiranës, të arrestohen dhe disa zyrtarë të ALUIZNI-t e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të cilët besohet se kanë ndjekur procedurat për hipotekimin në mënyrë të paligjshme të kësaj çështje.

Hetimet vijojnë dhe se Prokuroria ka siguruar prova të pakundërshtueshme se Helidon Gjikoka, i ka marrë pronën nëpërmjet dokumentave të falsifikuara, pronarit të ligjshëm Ilir Koka. Nga hetimet e kryera rezulton se Helidon Gjikoka është “strubmullari” i mega skandalit, ku rezulton se disa vite më parë shtetasi Helidon Gjikoka, mori me qira një pronë dhe disa objekte në Dhërmi nga shtetasi Ilir Koka.

Synimi i Helidon Gjikoka të kapte biznesin dhe të përvetësonte më pas këtë pronë, e cila është e pozicionuar, buzë bregdetit në Dhërmi dhe bëhet fjalë për një hotel dhe një truall.