Problemet e vazhdueshme ekonomike të Mianmarit, shtet i njohur edhe si Burma, janë shkaktuar nga “faktorë të jashtëm” dhe dy valë të pandemisë së koronavirusit, mirëpo qeveria ushtarake merr përgjegjësi të plotë dhe është duke punuar shumë për t’i adresuar këto çështje, ka thënë të enjten një zëdhënës.
Duke folur pasi valuta e Mianmarit, kyat, ka prekur nivelet më të ulëta ndonjëherë, zëdhënësi i këshillit ushtarak, Zaw Min Tun, ka thënë se banka qendrore nuk ka arritur të përmbushë kërkesën lokale për dollarë.
Valuta e Mianmarit ka humbur më shumë se 60 për qind të vlerës që ka pasur nga fillimi i muajit shtator, duke nxitur rritje të çmimeve të ushqimit dhe naftës në ekonominë që është përballur me shumë vështirësi prej puçit të 1 shkurtit.
“Qeveria është duke punuar për të zgjidhur këtë situatë sa më mirë që është e mundur”, ka thënë Zaw Min Tun, në një konferencë të rregullt për media.
“Meqë ka ndodhur gjatë kësaj qeverie, qeveria e tanishme do të duhet të marrë përgjegjësinë”.
Shumë dyqane të arit dhe të këmbimit të valutave janë mbyllur për shkak të trazirave, derisa të enjten nëpër rrjetet sociale janë parë shumë persona në panik duke blerë naftë dhe stacionet e naftës duke u mbyllur për shkak të mungesave.
Rritja e çmimeve të ushqimit dhe naftës ka qenë sfidë e madhe për qeveritë e kalura në Mianmar.
Zaw Min Tun ka thënë se ekonomia është përkeqësuar për shkak të faktorëve të jashtëm si dhe koronavirusit, mirëpo nuk ka dhënë më shumë hollësi.
“Ne kemi përgjegjësi për ta rindërtuar ekonominë”, ka thënë ai.
Banka Botërore ka parashikuar të hënën se ekonomia e Mianmarit do të shënojë ulje për 18 për qind këtë vit./rel