Fjalë Kyçe

Usyk zbulon se rusët kanë shtënë në shtëpinë e tij dhe se i kanë tërhequr zvarrë fqinjët

Usyk zbulon se rusët kanë shtënë në shtëpinë e tij dhe se i kanë tërhequr zvarrë fqinjët

Oleksandr Usyk ka zbuluar se shtëpia e tij është gjuajtur me armë nga forcat ruse dhe se fqinjët e tij janë tërhequr zvarrë derisa ai kishte dalë publikisht në mbrojtje të atdheut nga pushtimi rus.

Kampioni i botës në boksin profesionist ishte në Londër më 24 shkurt kur trupat ruse u futën në territorin ukrainas, ndërsa vendosi të rikthehej tek familja e tij në Kiev.

Usyk u rikthye në atdhe dhe iu bashkua batalionit të mbrojtjes territoriale duke pozuar me armë pasi e konfirmoi lajmin.

35 vjeçari ishte duke ushtruar për një rimeç eventual me britanikun Anthony Joshua, të cilin e kishte mundur në shtator 2021, për t’ia marrë brezat e artë.

Por, ato plane u prishën kur Usyk u rikthye në Ukrainë.

“Unë e di se ata kanë gjuajtur në shtëpinë tonë. Ata i kanë thyer dyert dhe i kanë nxjerrë zvarrë fqinjët tanë”, deklaroi Usyk për “profiboxing.cz”, përcjell Express.

“Por, nuk e di se si është gjendja tash atje në lagje. Nuk mund të vëmë kontakte me askënd. Është e tmerrshme kur familjarët dhe të afërmit e tu fshihen në bodrume dhe në çdo skutë”, vazhdoi Usyk.

Sidoqoftë, me lejen e qeverisë ukrainase, ai u largua nga vendi për t’u përgatitur sa më mirë për meçin e radhës ndaj Anthony Joshuas, i cili pritet të mbahet gjatë verës që vjen.