Një vajzë 9-vjeçe e cila më parë nuk kishte pasur probleme shëndetësore, është personi më i ri që ka humbur jetën nga coronavirusi në Florida, shkruan CNN.
Kimora “Kimmie” Lynum ka ndërruar jetë më 18 korrik në Putnam, e sipas departamentit të shëndetësisë në Florida ajo është viktima më e re e coronavirusit në këtë shtet, transmeton Telegrafi.
Zëdhënësi i familjes së të ndjerës, Dejeon Cain, ka bërë të ditur se ajo nuk kishte pasur më herët probleme tjera shëndetësore.
“Ajo ishte gjithmonë e lumtur dhe na bënte të gjithëve të lumtur. Ishte fenomenale”, shtoi Cain i cili njëherit është familjar i të ndjerës.
Në anën tjetër, familjarët e saj nuk po e dinë se ku dhe si ajo mund të jetë infektuar me COVID-19. Ajo dukej e shëndetshme, dhe pothuajse tërë verën e ka kaluar në shtëpi duke mos shkuar në shkollë apo kampingje.
E ëma e Kimmie ishte testuar për COVID-19, por deri më tani nuk i ka marrë rezultatet, ka njoftuar Cain. Të dhënat mjekësorë nuk tregojnë se vogëlushja kishte pasur ndonjë kontakt së fundmi me ndonjë të infektuar me COVID-19.
Zyrtarja shëndetësore në Putnam, Mary Garcia ka konfirmuar vdekjen e vogëlushes për CNN, duke theksuar se nuk ishte në dijeni nëse ajo kishte pasur më herët probleme shëndetësore.