Kisha Katolike ka befasuar të hënën pasi njoftoi se do t’ua hapë dyert burrave të martuar që duan të bëhen priftërinj. Sidoqoftë, kjo mundësi vlen vetëm për njerëzit që jetojnë në zonat e thella të Amazonës, në mënyrë që të plotësohet mungesa e priftërinjve në atë rajon.
Propozimi i Vatikanit është përgjigje ndaj numrit të vogël të priftërinjve. Tradicionalistët kishtarë thonë se ky hap mund të bëhet praktikë e Kishës Katolike edhe në pjesët e tjera të botës dhe për këtë gjë janë të brengosur.
Në dokumentin e publikuar nga Vatikani thuhet se kanë pasur kërkesa që një gjë e tillë të mundësohet në pjesët e skajshme të Amazonës dhe se burrat që duan të bëhen pjesë e kishave duhet të jenë të respektuar dhe të pranueshëm në komunitetet e tyre.
Papa Françesku edhe më parë ka thënë se do ta mundësonte caktimin e burrave të martuar si priftërinj në zonat e largëta dhe të izoluara. Ky ndryshim është përfshirë një një dokument për samitin e ardhshëm që do të mbahet në tetor të këtij viti. Aty do të diskutohet për nevojat e kishave në Bolivi, Brazil, Surinam, Ekuador, Guajanë, Guajanë Franceze, Peru dhe Venezuelë.
Besimtarët katolikë në këto shtete shumë rrallë marrin shërbime kishtare për shkak të mungesës së theksuar të priftërinjve. Në këtë mënyrë, ata nuk mund të marrin pjesë në mesha dhe nuk mund të rrëfehen për një kohë të gjatë, shkruan “New York Times”.