Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti po vazhdon që përmes profilit të tij në Facebook, të tregojë për aderimet e reja që po bëhen në subjektin me të cilin ai udhëheq.
I pari i Vetëvendosjes sot ka treguar se partisë së tij i është bashkuar Bekim Ushaku, një shqiptar me origjinë nga Ulqini, por i lindur në Paris, shkruan Gazeta Alo.
Kurti, ka thënë se shoqëria jonë ka nevojë për njohuritë, kreativitetin e përvojën e Bekimit dhe VV-ja është mënyra e mundësia për këtë.
Postimi i tij i plotë:
Së bashku me Kryetarin e Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Prishtinë dhe anëtarin e kryesisë sonë, Arben Vitia, sot, mirëpritëm anëtarësimin në Lëvizjen tonë të z. Bekim Ushaku. Bekimi është me origjinë nga Ulqini, por i lindur në Paris. Prindërit e tij emigruan në Francë gjatë viteve të ’60-ta. Familja e Bekimit u kthyen në Prishtinë kur ai dhe motra e tij morën shkollimin fillor e të mesëm, kurse për studimet universitare rikthye në Paris, ku magjistroi në Disenj të Produktit në Creapole -Paris 1. Një kohë disenjoi produkte në industrinë e urbanizmit, shëndetësisë, veturave, por edhe automjeteve të trafikut urban siç është Iveco (autobusët lokal për tregun evropian) dhe Bombardier (trenat ndërurban për regjionin e Parisit). Bekimi tash disenjon për Groupe Royer për marka të njohura sikurse Umbro, Kickers, Hung dhe Everlast, si dhe asiston në projekte të arkitekturës komerciale. Gjithashtu, ai është profesor në Fakultetin e Disenjit në Paris 1, tash e 12 vjet, dhe anëtar i komisionit për disenj të produktit dhe disenj të transportit për temat e diplomave të nivelit master.
Bekim Ushaku ka specializuar në Design Thinking dhe Storytelling në relacion me lindjen e grupeve të reja shoqërore që japin ide për nevojat e reja për produkte të ndryshme. Shoqëria jonë ka nevojë për njohuritë, kreativitetin e përvojën e Bekimit, dhe, Lëvizja jonë është mënyra e mundësia për këtë./Gazeta Alo/