Fjalë Kyçe

Vazhdojnë problemet për Balotellin, klubi dëshiron t’ia shkëputë kontratën

Vazhdojnë problemet për Balotellin, klubi dëshiron t’ia shkëputë kontratën

Sulmuesi italian i Brescias, Mario Balotelli, pritet të kthehet në seancat stërvitore të klubit sot, megjithatë Brescia thuhet se dëshiron t’ia shkëputë atij kontratën menjëherë shkaku i problemeve gjatë kohës së fundit.

Të martën, trajneri Diego Lopez dhe pjesa tjetër e skuadrës së Brecias i nisën stërvitjet në fushën e blertë, mirëpo sulmuesi Mario Balotelli nuk ishte i pranishëm në atë seancë, transmeton Gazeta Express.

Mediumet italiane e arsyetuan mungesën e Balotellit duke iu referuar marrëdhënies së përkeqësuar mes tij dhe presidentit të klubit, Massimo Cellinos.

Balotelli ka qenë duke u stërvitur ndaras pjesës tjetër të skuadrës tash e një kohë, mirëpo agjencia italiane e lajmeve, ANSA, tani raporton se sulmuesi e kishte arsyetuar mungesën e tij të fundit në klub duke thënë se ka pasur dhimbje barku.

Balotelli kthehet në stërvitje sot, mirëpo ANSA raporton se marrëdhënia e tij me drejtuesit në klub është përkeqësuar aq shumë saqë tani pritet që ai t’i shkëputet kontrata para kohe.

Ish-futbollisti i Interit dhe Milanit, i cili së shpejti do t’i mbushë 30 vjeç duket se do të largohet nga klubi i vendlindjes pas vetëm një sezoni aty, përkundër që kontrata e tij në Mario Rigamonti nuk skadon deri më qershor të vitit 2022.

Balotelli i ka shënuar pesë gola në 19 paraqitjet e tij për Brescian në Serie A, përderisa klubi radhitet në pozitën e fundit në tabelë, me 16 pikë të fituara nga 26 xhirot e zhvilluara.