Atletico Madrid ka vazhduar me formën e dobët në La Liga. Kampionët e Spanjës kanë humbur sonte në shtëpinë e tyre në Madrid kundër Levantes. Gonzalo Melero (54) i Levantes ishte golashënuesi i vetëm në këtë ndeshje
Nuk ka këndellje në La Liga nga Atletico Madrid.
Skuadra e Diego Simeones është mposhtur me rezultat 0-1 në Wanda Metropolitano duke vazhduar që të jetë në vendin e pestë në La Liga, pas Barcelonës.
Levante e kishte edhe rastin e parë në këtë ndeshje në minutën e 22, kur Jorge de Frutos humbi një rast ideal për gol të cilin do t’ia mohonte Oblak.
Atletico rastin e parë në ndeshje do ta kishte në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Thomas Lemar përfitoi nga një rikthim i topit por ai goditi lart mbi portë në mënyrë krejtësisht të pasaktë.
Levante u tregua më e mirë edhe në fillim të pjesës së dytë.
Ishte një kundërsulm i shpejt i Levantes ku Sebastian pasoi të Gonzalo Melero. Ky i fundit bëri një depërtim të mirë në zonë dhe lansoi një goditje të fuqishme me të djathtën e tij për të shënuar gol në minutën e 54-të.
Atletico ka mundur që të kthehet në lojë pasi që pati prekje me dorë të topit në zonën e rreptësisë por pas rishikimit në VAR u pa që njëri prej lojtarëve të Atleticos ishte në pozitë jashtëloje.
Levante përsëri ishte e rrezikshme dhe ishte përsëri Jorge de Frutos që ishte afër golit në minutën e 64-të të ndeshjes, por ishte pikërisht Jan Oblak që priti goditjen me kokë të tij, përcjell express.
Në minutat në vazhdim ishte Atletico që dominoi por që asnjëherë nuk arriti që ta rrezikonte seriozisht portën e Cardenas.
Atletico arriti që ta barazoi rezultatin por goli i Correas u anulua për shkak se asistuesi i golit ishte në pozitë jashtëloje.
Me këtë humbje, Atletico vazhdon të jetë në pozitën e pestë në tabelë, me 39 pikë.
Pavarësisht fitores, Levante mbetet në vendin e fundit me 14 pikë, pesë më pak se Cadiz dhe 6 më pak se Alaves në vendin e 19 respektivisht 18.
Kjo është fitorja e dytë e Levantes në këtë sezon.