Spektakël i arratisjes së personave të gjykuar në liri është duke ndodhur muajve të fundit në Kosovë. Hiq më larg se sot është arratisur Marko Roshiq, që të premten mori dënim me 8 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë për vrasjen e politikanit serbë në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq. Roshiq paraprakisht ishte liruar nga paraburgimi deri në marrjen e një vendimi përfundimtar të rastit nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Këtë shans të artë për arratisje ai nuk e çoi dëm. Iku nga shtëpia e tij në Mitrovicën e Veriut dhe policia nuk e gjeti aty.
Është arratisur Marko Roshiq, i dënuar me 8 vjet burgim për vrasjen e politikanit serb në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq.
I shpallur fajtor dhe i dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Roshiq ishte liruar nga paraburgimi dhe po mbrohej në liri.
Megjithatë, pas shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj tij dhe tre të tjerëve të premten e 28 qershorit, Roshiq është arratisur nga drejtësia. Ai nuk është në shtëpinë e tij në Mitrovicën e Veriut nga zyrtarët policorë të Kosovës, gjë që u konfirmua për Express nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani.
Pa dhënë më shumë detaje, Elshani tha një “po”, kur u pyet nga Express, nëse Roshiq i ka ikur drejtësisë duke shfrytëzuar gjykimin në liri.
E ky nuk është rasti i fundit, ku të dënuarit e kanë shfrytëzuar gjykimin në liri për t’i ikur drejtësisë.
Edhe Enver Sekiraqa u arratis në prill të këtij viti, pasi nuk u gjet në shtëpinë e tij, pasi më 3 maj 2024, për herë të tretë pas kthimit të rastit në rigjykim u dënua me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.
Për rastin e tij, policia ka informuar e kanë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare ndaj Enver Sekiraqës.
“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë”, thuhej në përgjigjen e Policisë për Express.
Më tej Policia thotë se “meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njëjti nuk është hasur në shtëpi. Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kanë kërkuar të nëjtin, por nuk e kanë hasur në shtëpi. Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit”, pati konfirmuar policia për rastin e Sekiraqës.
Pushteti goditi gjyqësorin për arratisjen e Sekiraqës. Madje, u suspendua edhe gjyqtari i rastit, Agim Kuçi. Ky kishte marrë vendimin që Sekiraqa të gjykohej në liri.
E nga burgu i Smrekonicës këto ditë u largua i njohuri për arratisje nga burgjet, Faton Hajrizi. Policia tashmë ka publikuar fotografinë e tij dhe po e kërkon kudo. Dje në një video-lidhje në rrjetin social “Tik Tok”, ai tha se gjendet jashtë vendit.
Se gjendet jashtë vendit edhe Sekiraqa, pati deklaruar avokati i tij Besnik Berisha.
Shpallja e aktgjykimit për vrasjen e Ivanoviqit
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot u shpall aktgjykimi dënues ndaj katër të akuzuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviq, i cili ishte lideri i Iniciativës Qytetare serbe ‘Liri,demokraci, drejtësi’.
Ivanoviq ishte qëlluar me armë zjarri me 6 plumba përballë zyrave të partisë së tij më 16 janar të vitit 2018, në rrugën “Sutjeska” në Mitrovicën e Veriut, transmeton Telegrafi.
Të akuzuarit nuk ishin në seancë kur u shpallë aktgjykimi dënues.
Tetë vite burgim u dënua Marko Roshiq, për pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal lidhur me vrasje të rëndë si dhe me 10 mijë euro gjobë.
Kurse me nga katër vite burgim u dënuan Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, dhe Zharko Jovanoviq.
Nedeljko Spasojeviq është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale të ricilësuar nga krimi i organizuar në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ai është dënuar edhe me 4 mijë e 500 euro gjobë. Të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Dragisha Markoviq është dënuar me 4 vjet burgim për bashkëkryerje dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ndërkaq, Zharko Jovanoviq është dënuar me 4 vjet burgim për bashkëkryerje të veprës dhe me 1 mijë e 500 euro gjobë për posedim të armëve.
Nga aktakuza është liruar Silvana Arsoviq, ku për këtë u deklarua edhe avokati mbrojtës i saj, Musa Demati.
Para mediave, Demati i cili u shpreh se vrasja e Oliver Ivanoviqit mund të krahasohet me vrasjen presidentit amerikan, John Kennedy.
“Rasti i njohur i Ivanoviqit, mund të krahasohet me vrasjen e presidentit amerikan John Kennedy. Mbi 50 seanca janë mbajtur, mbi 40 dëshmitarë janë dëgjuar, po ashtu në këtë çështje nuk ka ekzistuar asnjë provë që do e inkriminonte klienten time. Tash ajo është e lirë pas katër vitesh”, u shpreh Demati.
I akuzuar për vrasjen e Ivanovoviqit ka qenë edhe Rade Basara për të cilin Prokuroria Speciale është tërhequr nga ndjekja penale siç u tha në mungesë të provave.
Tomë Gashi, avokat mbrojtës i Rade Basara, pohoi se për të aktakuza ka qenë e pabazë.
“Të gjithë e dini se për Rade Basara, aktakuza ka qenë e pabazë. Sa i përket vendimeve për të tjerët, vendimi ka qenë në përputhje me ligjin”, pohoi avokati Gashi.
Oliver Ivanoviq ishte bartës i listës “Liria, Demokracia, Drejtësia – Oliver Ivanoviq” në zgjedhjet lokale të Kosovës, të cilat u mbajtën në nëntor të vitit 2017, pak muaj para vrasjes së tij.
Gjatë fushatës parazgjedhore për ato zgjedhje lokale, për shkak të frikësimit të serbëve në veri të Kosovës, katër kandidatë nga lista e tij u tërhoqën, ndërsa vetë Ivanoviqit iu dogj vetura në veri të Mitrovicës.
Në fillim të vitit 2014, ai ishte edhe një nga kandidatët për kryetar të Mitrovicës së Veriut, kur u ndalua nën dyshimin se kishte kryer krime lufte.
Në shkurt të vitit 2017, Gjykata e Apelit e Kosovës urdhëroi rigjykimin e Ivanoviqit, pasi ai u dënua me nëntë vjet burgim në vitin 2016 për krime lufte kundër civilëve të Kosovës në vitet 1999 dhe 2000.
Rigjykimi filloi më 24 mars 2017, ndërsa më 21 prill atij iu hoq arresti shtëpiak dhe iu lejua të mbrohej në liri.
Ai u vra më 16 janar të vitit 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriu.