Ish-presidenti grek, Karolos Papulias, ka vdekur të dielën në moshën 92-vjeçare.
Populias, i cili shërbeu dy mandate në krye të presidencës greke, midis viteve 2005-2015, kishte dalë kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë gjatë vitit 1999.
Si ligjvënës, ai protestoi fuqishëm kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe kishte shprehur mbështetje për ish-presidentin serb, Slobodan Millosheviq, raporton “Euronews”.
Përveç mbështetjes së dhënë ndaj Millosheviqit, Papulias ishte i njohur edhe për marrëdhëniet e tij të ngushta me liderët arabë, duke përfshirë Jaser Arafat dhe Moammar Gadafi, dhe në përgjithësi, raportohet se ishte i ftohtë ndaj politikave perëndimore.
Një nga udhëtimet e tij të pakta zyrtare jashtë vendit derisa ishte president, ishte pjesëmarrja në Lojërat Olimpike Dimërore 2014 në Soçi, si mysafir i presidentit rus Vladimir Putin.
Nga presidenca e Greqisë, për vdekjen e tij u deklarua vetë presidentja Katerina Sakellaropoulou.
“Me trishtim i dërgojmë përshëndetjet tona të fundit Karolos Papuliasit”, tha ajo. “Ai e nderoi institucionin më të lartë shtetëror me etikën dhe sjelljen e tij duke mbrojtur me forcë kohezionin social dhe unitetin kombëtar”, shtoi më tej Sakellaropoulou.