Fjalë Kyçe

Vdes kryetari i parë i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Bytyqi

Vdes kryetari i parë i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Bytyqi

Gjatë ditës së sotme ka ndërruar jetë Agim Bytyqi, kryetari i parë i Federatës së Futbollit të Kosovës, shkruan Insporti.

Bytyqi ka ndërruar jetë këtë të shtunë më 10 tetor, derisa lajmi është konfirmuar edhe nga shtëpia më e madhe e futbollit në vend.

Kontributi i Agim Bytyqit për futbollin e Kosovës ishte kulminant, i jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm për nga rrethanat.

Ai me guxim e vendosmëri mori përsipër të vihet në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës në kohën e aparteidit dhe shtypjes së popullit të Kosovës nga regjimi okupator i Serbisë, duke e bërë kësisoj futbollin si pjesë të rëndësishme të rezistencës sonë kombëtare në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar ndaj pushtuesit serb.Përveç kohës së tij si drejtues i futbollit kosovar, Agim Bytyqi ishte emër i shquar edhe si futbollist, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në klubin e qytetit të tij, Liria.

Agim Bytyqi ishte personalitet me kapacitete të larta intelektuale, patriot dhe njeri i urtë e i fjalës. Ai edhe në moshë të shtyrë asnjëherë nuk rreshti së dashuruari futbollin dhe për çdo sukses të Kombëtares së Kosovës derdhte lot gëzimi, andaj në këtë ditë të trishtë për futbollin tonë e kujtojmë me pietet dhe përkulemi para veprës së tij madhështore, e cila do të jetë e shkruar me shkronja të arta në historinë e futbollit të Kosovës.