Një 35-vjeçar ka vdekur në një aksident trafiku në Çagllavicë, në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, i ka thënë Kohës se në aksident ka qenë e përfshirë vetëm një veturë me targa të huaja.
Sipas njoftimit, viktima nuk ka arritur t’i përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti.
“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në Çagllavicë ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një automjet (me targa të huaja). Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore ka pësuar një person, i cili nuk ka arritur të përballojë plagët”, ka thënë Ahmeti.
Ajo ka shtuar se vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.
“Trupi i viktimës: A.A mashkull, 35 vjeç, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që me hetimin e rastit po merret njësiti i trafikut”, ka përfunduar ajo.