Fjalë Kyçe

Vdes trajneri i ri gjakovar, FFK-ja shpreh ngushëllime

Vdes trajneri i ri gjakovar, FFK-ja shpreh ngushëllime

Trajneri i ri gjakovar i futbollit, Ardren Dafota ka vdekur në moshën 25-vjeçare, është bërë e ditur të premten. Dafota ishte trajner në Akademinë “Naim Kryeziu” të klubit Vëllaznimi, ndërsa ka vuajtur së fundi nga një sëmundje e rëndë.

Familjes Dafota të premten ngushëllime i ka shprehur Federata e Futbollit të Kosovës. I ndjeri ishte pjesë e projekteve të FFK-së.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e papritur nga jeta të më të dashurit tuaj dhe bashkëpunëtorit tonë të zellshëm, Ardren Dafota. Andaj më lejoni që në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta”, thuhet në telegramin e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi për familjen Dafota.

Ardren Dafota ishte lojtar i klubeve Gjakova, 2 Korriku dhe Flamurtari. Pas përfundimit të studimeve dhe karrierës si futbollist, nisi me përkushtim punën e trajnerit. U bë pjesë e programit “Grassroots” të FFK-së ku shërbeu si edukator. Po ashtu ishte udhëheqës i programit për fëmijët me nevoja të veçanta në Gjakovë, “Të gjithë jemi të barabartë”.

“Ardreni gjithmonë ishte i përkushtuar në punë dhe u dallua si profesionist i vërtetë. Ai u shqua si një djalë shembullor, mik i shkëlqyeshëm e i afërt me të gjithë ata që e njohën dhe me të cilët punojë. Andaj si të tillë do ta kujtojmë përherë”, shkruan në telegramin e Agim Ademit.