Një boksier 18-vjeçar nga Jordania ka vdekur si pasojë e lëndimeve serioze që mori gjatë një meçe në Kampionatin Botëror të të rinjve, ka njoftuar Asociacioni Botëror i Boksit Amator (AIBA), raporton AP.
Rashed Al-Swaisat ishte trajtuar në ring dhe ishte hospitalizuar më pas, pasi u nokautua në raundin preliminar të kategorisë gjysmë të rëndë nga estonezi Anton Vinogradov më 16 prill. Botërori i të rinjve u mbajt në Kielce të Polonisë.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin se ka ndërruar jetë Rashed Al-Swaisat i Jordanisë, që ishte shtruar në spital më 16 prill, pas një meçi në Botërorin e të rinjve. Rashed është në zemrat dhe lutjet tona. Mendja jonë është te familja e tij, shokët e kolegët, të cilëve u ofrojmë ngushëllime të sinqerta”, thuhet nga AIBA.
AIBA nuk ka ofruar më tepër informata për rrethanat e vdekjes së 18-vjeçarit. Sipas transmetuesit polak Radio Zet Sport, boksieri nga Jordania vdiq të hënën në spital.