Fjalë Kyçe

Vdiq një shkencëtar i madh dhe Kosova publike e tregoi fytyrën e saj të zezë!

Vdiq një shkencëtar i madh dhe Kosova publike e tregoi fytyrën e saj të zezë!

Sot vdiq Idriz Ajeti. Ai që u lind në Tupallë të Medvegjës më 1917 e u shkollua në Shkup, Zagreb, Itali, Beograd. Ai që e mbrojti Kosovën dhe shqiptarët kudo në rajon së paku 80 vjet – si shkencëtar, si aktivist për të drejtat e njeriut dhe si politikan.

Aq sa pashë – ceremonia e varrimit nuk ishte e tillë çfarë e ka merituar ky njeri. Pashë ca burra që rreth varrit kishin nxjerrë telefonat e tyre të «mençur» dhe incizonin.

Në varrim nuk ishte asnjë politikan i nivelit të lartë.
Në varrim nuk ishte Garda e Kosovës për të bartur trupin e pajetë të një kolosi të dijes. Gardën e shkretë të Kosovës e çojnë për të qëndruar gatitu kur vdesin edhe baballarët e politikanëve të Kosovës. Gardën e shkretë të Kosovës e çojnë për të qëndruar gatitu edhe kur kalon në amshim ndonjë komandant i UÇK-së që pas luftës s’ka lënë gjë të zezë pa bërë. Për t’i thënë lamtumirë Idriz Ajetit s’kishte kohë sot askush nga bajraktarët e shtetit. Sepse janë bajraktarë. Primitivë. Sepse ndër ne çmohet cubi dhe jo njerëzit që ia kanë vënë themelet kësaj Kosove çfarë është sot.

Paramendojeni!

Në homazhet e mbajtura në Akademinë e Shkencave nuk ishte ministri i Arsimit. Nuk ishte as Rektori i Universitetit të Prishtinës. Me gjasë s’kanë qenë as shumë të tjerë që do të duhej të ishin aty.

Në fund të kësaj dite mbeten vetëm përshtypjet e hidhura për këtë degradim kulturor, për këtë mungesë të mirësjelljes dhe respektit ndaj një personaliteti që Kosova nuk do ta ketë kurrë më në historinë e saj. Kështu nuk sillen as popujt e shkretëtirave, ata që ende nuk i ka prekur ndonjë rreze e civilizimit.

Vdiq një shkencëtar i madh dhe Kosova publike e tregoi fytyrën e saj të zezë!