Fjalë Kyçe

Vëllai i Pogbas godet Mourinhon, kjo është arsyeja

Vëllai i Pogbas godet Mourinhon, kjo është arsyeja

Jose Mourinho ishte problemi te Manchester United, pasi dëshironte të ishte qendra e vëmendjes. Kështu thotë vëllai Mathias i Paul Pogba.

Mourinho u shkarkua nga stoli i “Djajve të Kuq” muajin e kaluar, mes raporteve për mosmarrëveshje në dhomën e zhveshjes, që kishin për personazh kryesor mesfushorin Paul Pogba.

Fituesi i Kupës së Botës me Francën, të cilit iu hoq statusi i zv.kapitenit në “Old Trafford”, më herët, gjatë sezonit, dhe u ul në stol gjatë javëve të fundit të drejtimit të Mourinhos, ka “lulëzuar” që nga largimi i portugezit, duke shënuar katër gola dhe duke dhënë tre asistime. Gjithçka, falë ardhjes në drejtim të Ole Gunnar Solskjaer.

Dhe Mathias Pogba e drejtoi gishtin nga Mourinho, kur iu desh të shpjegonte ringjalljen e vëllait të tij në “Old Trafford”.

“Problemi ishte Mourinho, protagonizmi i tij për të qenë në qendër të vëmendjes në dhomën e zhveshjes, jashtë saj, në gjithçka, – tha Mathias Pogba, 28 vjeç, për “RMC Sport”. – E njoh vëllain tim. Mjafton t’i thuaj shko, luaj, pjesën tjetër do ta bëjë vetë”.

Mathias Pogba shtoi: “Nga ajo që shohim te Mourinho, ai gjithmonë dëshiron të jetë mjeshtri, qendra e vëmendjes. Nëse nuk e llogarit aspak Paul, çfarë pret prej tij. Nëse e respekton, ai do të të respektojë më shumë. Nëse i besoni atij, Paul do të luajë ndeshje të mëdha”.

Fituesi i Kupës së Botës, Paul Pogba, ka shënuar shtatë gola në Premier League, ose nëntë gola në të gjitha garat për Manchester United, përpara ransfertës me Tottenham, të dielën.