Është arrestuar për deklarim të rremë gruaja nga Gjakova që më 12 janar deklaroi se vëllai i ishte zhdukur në fund të nëntorit, “pasi ishte nisur në drejtim të Serbisë”. Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, gruaja e arrestuar është dërguar në mbajtje.
Në raportin 24-orësh të Policisë të shtunën ishte raportuar se rasti ishte iniciuar si “person i zhdukur”. “Rr. Dëshmorët e Dujakës, Gjakovë. 12.01.2024-15:45. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se vëllai i saj që nga data 25.11.2023 ka dalë nga shtëpia dhe është nisur në drejtim të Serbisë dhe deri më tani nuk është kthyer dhe nuk ka njohuri se ku gjendet”, thuhej në njoftim të Policisë.
Ndërsa të mërkurën, Policia ka njoftuar se personi i zhdukur është gjetur dhe gruaja është arrestuar për deklarim të rremë.
“PERSON I ZHDUKUR – I GJETUR & DEKLARIM I RREMË. Gjakovë / 25.11.2023 – 20:00. Më 16.01.2024 është arrestuar e dyshuara kosovare për shkak se e njëjta dyshohet se ka deklaruar rrejshëm lidhur me zhdukjen e viktimës mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.