Në Kosovë, vëllezërit Osmani njihen si miliarderë të famshëm. Prej vitesh jetojnë në Gjermani, ku kanë pasur probleme me drejtësinë për pasurinë, por bizneset i shtrijnë edhe në Spanjë, Belgjikë, Holandë dhe vende të tjera europiane. Paratë raportohet se i kanë investuar në ndërtim, shitblerje pronash, lojëra fati, ndërsa në mediat shqiptare janë prezantuar si biznesmenë të fuqishëm.
Por orët e fundit, në mediat evropiane, vëllezërit Osmani po përmenden si një klan i rëndësishëm, që sillnin kokainë nga Amerika Latine, për ta shpërndarë nëpër Evropë.
Mediat belge ishin të parat që raportuan për operacionin ku morën pjesë 600 policë dhe që u shtri në 7 vende evropiane, të organizuar nga Europol. Në shënjestër ishte një organizatë e trafikut të kokainës e drejtuar nga shqiptarët, emrat e të cilëve janë zbuluar të enjten.
Kush është Bashkim Osmani, më i madhi i katër vëllezërve
50-vjeç, shqiptar nga Kosova, Bashkim Osmani prezantohet në mediat spanjolle si bosi mafioz i dashuruar me Majorkën. Anëtar i një klani me biznese të dyshimta në Gjermani – ku tashmë ishte dënuar me gati katër vjet burg së bashku me vëllain e tij në 2008 për një krim ekonomik – ai mbërriti në ishull dy dekada më parë dhe u martua me një grua gjermane në rezidencën e tij ka mësuar Lapsi.al. Për banketin me qindra të ftuar, solli me avion privat artistë të njohur gjermanë dhe shqiptarë, shkruan lapsi.al.
Osmani kalon periudha të gjata në Majorka, shkruajnë mediat spanjolle, aty ku u arrestuan bashkëshortja dhe vjehrri i tij. Operacioni i Europol i pagëzuar “Shqiponja e zezë” e kapi Bashkim Osmanin në Kroaci. Pas pak ditësh, ai do të ekstradohet në Spanjë.
Një foto e Bashkim Osmanit me aktorët Nick Nolte dhe Til Schweiger në restorantin Ritzi në Puerto Portals, ka pushtuar mediat spanjolle. Restoranti, sipas hetimeve mund të ishte përdorur për pastrim parash.