Fjalë Kyçe

Vendimet e dëmshme i kushtuan shtetit qindra miliona euro

Lidhur me debatin në Rubikon për ekonominë në vend, ish-shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit në dorëheqje të Financave, Bedri Hamza.

Hamza, i cili ishte pasues i Hotit në atë ministri, akuzoi në Rubikon të KTV-së LDK-në duke thënë se “jo që e kap shtetin, por do ta plaste” dhe se në kohën sa kjo parti qeveriste me vendin kishte kapur të gjitha institucionet me zyrtarë të saj.

“Pasi nuk kanë asgjë në çfarë të thirren gjatë dy viteve të qeverisjes, bëhen agresiv në debate (siç po ndodh në debatin e sotëm në Rubikon). Asnjë rezultat – për dy vite Ministria e Financave ka qenë inekzistente. Në fakt, është bërë pjesë e vendimeve të dëmshme që i kanë kushtuar shtetit qindra miliona euro”, thuhet në reagimin që Hoti ia bëri Hamzës përmes Facebookut.

Në anën tjetër, Hamza iu përgjigj Hotit nga Rubikoni duke e ftuar në debat. Ai ka thënë se e di që Kosova ka sfida, dhe se tash është koha për t’u përballur me to.

“Le të vjen në debat, e ftoj. E bën buxhetin herë pesë miliardë, herë tre. Po në Facebook mund të flitet çka të duan. Kur të dojë le të vijë në debat. E dimë që Kosova ka sfida, por duhet orientuar për t’u përballur me to”, ka thënë ai.