Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka ironizuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti pasi u pajtua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë 24 hektarë Manastirit të Deçanit.
“Sikurse shkon thënia e famshme: Ndoshta edhe mundesh, por pastaj s’mundesh”, ka shkruar deputetja opozitare në Facebook, duke e përdorur shprehjen e Kurtit për Agim Veliun në vitin 2020.
Deputetja e LDK-se tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte keqpërdorur politikisht për kauza të rreme.
”Tani që u kapërdi dhe ky ndryshim qëndrimesh të kryeministrit: Qëndrimi i Qeverisë që i hap rrugë zbatimit të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit, është zbatim i sundimit të ligjit. I vonuar. I keqpërdorur politikisht. I shfrytëzuar për kauza të rreme nga kryeministri. Por, i duhur”.
“I duhur jo sepse na pëlqen ndokujt, por sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare – na duken të drejta apo jo. Njësoj, janë të zbatueshme vendimet TJERA të Gjykatës, i pëlqyen apo jo Kryeministrit e ministrave multi-shkelës të Kushtetutës. Tani, mbesim me shpresë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës pas përmbushjes dhe të këtij obligimi demokratik. Faturën e vonesës dhe shkaktimit të rrethanave për vonesa, dini ku mund ta drejtoni. Sikurse shkon thënia e famshme: Ndoshta edhe mundesh, por pastaj s’mundesh! Kosova jonë e përhershme mbi të gjitha”, ka shkruar ajo.