Fjalë Kyçe

Vendit i duhet reformë kushtetuese

Vendit i duhet reformë kushtetuese

Nëse jo reformë kushtetuese, në Kosovë më së paku duhet të ketë reformë zgjedhore, është shprehur avokati Kushtrim Palushi të enjten në Deskun e KOHËS.

“Kundërshtimet apo diskrepancat mes neneve të ndryshme të Kushtetutës që rregullojnë në thelb çështjen e njëjtë, të drejtën për të zgjedhë dhe zgjedhur, tregojnë që ka nevojë edhe Kushtetuta e Kosovës të analizohet edhe një herë nga fillimi edhe në fund, nëse jo të rregullohet për ta plotësuar atë me nene apo sqarime të reja, së paku diskrepancat apo kundërshtimet e neneve me njëra tjetrën të largohen”, ka thënë ai duke shtuar se Kosova ka nevojë për “Kushtetutë të qartë, efikase dhe të dobishme”.

Ai ka shtuar Kushtetuta ka menduar që fushëveprimi i Qeverisë të bëhet me ligj të veçantë, ndërsa Kosova ende s’ka ligj të veçantë për Qeverinë edhe pse Kushtetuta u miratua më 2008.

“Nëse jo reformë kushtetuese, më së paku duhet të flasim për reformë zgjedhore dhe ligjore për arsye se kjo situatë që kemi është si rezultat i një ligji që ekziston. Partitë duhet urgjentisht pas zgjedhjeve të amendamentojnë ose ndryshojnë Ligjin për Zgjedhjet. Nëse ndryshon ai ligj, edhe aktgjykimi i Kushtetueses që ua ndalon kandidimin kandidatëve të dënuar në tri vitet e fundit, bie në ujë sepse bëhet irelevant”, ka thënë ai.

Sipas tij, me ligjet në fuqi në Kosovë “mund të kemi një kandidat për kryeministër që ka kryer vepër serioze para katër vitesh” pasi “nuk kemi kritere çfarë kryeministri të kemi”.