Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ka thënë se Shqipëria është e gatshme për shtimin e trupave ushtarak në Kosovë, nëse është e nevojshme. Pas takimit me ministrin, Ejup Maqedonci, Vengu ka theksuar se shtimi i trupave është një vendimmarrje kolektive e KFOR-it, e cila bëhet në bazë të rishikimeve periodike të situatës së sigurisë.
“Është privilegj që të jem këtu. Patëm mundësi që të shkëmbejnë përpjekjet e përbashkëta për emergjenca civile. Kemi biseduar për rritjen e kapaciteteve. Kemi në dispozicion të gjitha instrumentet e armatosura që FSK-ja të ketë të gjithë nivelin e sigurisë. Bashkimi i forcave që resurset të mos humbin kohën në çështjen e ushtrisë civile dhe të investojmë në mënyrë të përbashkët”.
“Është një komandim i përbashkët dhe ka një rishikim periodik që bëhet situatës së sigurisë. Nëse është nevoja, edhe Shqipëria do t’i bashkëngjitet nëse është nevoja. Jemi në gatishmëri, nuk ka asnjë rezervë. Nuk është një vendimmarrje që i përket vetëm Shqipërisë, është një vendimmarrje kolektive”.
Ndër të tjera, ministri tha se Shqipëria e ndjen si privilegj ta ndihmojë Kosovën që të kthehet në aktor që kontribuon në siguri kolektive.
“Shqipëria ka një kontribut të veçantë, dhe e kemi privilegj që Kosova me gjithë përpjekjet e saj të kthehet në aktor që kontribuon në siguri kolektive”, ka thënë Vengu në konferencën e përbashkët me ministrin Maqedonci.
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, pas takimit me Vengun ka thënë se të dyja vendet kanë nevojë për thellim të bashkëpunimit dhe zgjerim në industrinë ushtarake. Ai ka theksuar se edhe Kosova synon që të jetë përkrah Shqipërisë, anëtare e NATO-s.