Pasditen e së mërkurës, Pal Lekaj, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës, ka thënë se në autostradën që kalon nëpër fshatin Komoran të Komunës së Drenasit, do të hapet një rrethrrotullim. Ai madje ka larguar një bulon nga mbrojtëset e rrugës. Këtë veprim të Lekajt, Komuna e Drenasit po e sheh si tendencë për te fituar vota, ndërkaq policia ka thënë se është njoftuar prokurori kompetent dhe me urdhër të tij është iniciuar rasti.
Komuna e Drenasit nuk po e pëlqen veprimin e Lekajt. Përmes një njoftimi për media, zyra për informim e kësaj komune ka thënë se kjo është bërë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
“Fillimisht, për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit do të duhej të ndiqen procedura të nevojshme, si dhe të bëhen vlerësime nga ana e ekspertëve të komunikacionit, dhe se asnjë person, në asnjë rrethanë, nuk mund të marr vendime të kësaj natyre, pa respektuar në përpikëri legjislacionin në fuqi, ku në rastin e lartcekur nuk është prezantuar asnjë vendim, pëlqim apo leje”, thuhet në reagimin e komunës.
Po ashtu, Komuna e Drenasit thotë se Inspektorët Komunal kanë kërkuar të informohen nga Lekaj se a ka vendim për të hapur udhëkryqin, mirëpo ai iu është përgjigjur se mund të iniciojë kallëzim penal ndaj tyre.
“Për këtë çështje, duke marrë parasysh shqetësimin e qytetarëve tanë, Inspektorët Komunalë me mirëkuptim kanë kërkuar të informohen nga Ministri në largim, Pal Lekaj, se a ka vendim të kësaj natyre. Mirëpo, të njëjtit nuk kanë hasur në bashkëpunim, dhe për më tepër ata kanë marrë kërcënime nga ana e Ministrit Lekaj, i cili iu është përgjigjur se mund të inicioj ‘Kallëzime Penale’ për inspektorët tanë”, theksohet në komunikatën e komunës së Drenasit.
Ndërkaq i kontaktuar nga Gazeta Express, Lekaj ka thënë se vendimin për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit e ka marrë pas kërkesave të vazhdueshme nga banorët dhe bizneset vendase.
“MIT si gjithnjë ndjek të gjitha procedurat e parapara me ligj njëjtë sikur rastin në fjalë. Drejtoria e Menaxhimit të Rrugëve dhe Komisioni për vendosjen e rrethrrotullimeve kanë dhënë rekomandimin për vendosjen e një rrethrrotullimi në këtë zonë. Para vendosjes së atij të përhershmi, kompania projektuese e kontraktuar nga MIT po planifikon vendosjen e një rrethrrotulimi të përkohshëm, përmes së cilit do të testohet ndikimi që do të ketë ky ndryshim në komunikacion”, tha Lekaj.
Ai ka shtuar se sipas Ligjit për Rrugët, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është përgjegjëse për rrugët publike nacionale, rajonale dhe autoudhët.
“I rikujtojmë komunës së Drenasit, se sipas Ligjit për Rrugët, MIT është përgjegjëse për rrugët publike nacionale, rajonale dhe autoudhët. Prandaj i bëjmë thirrje udhëheqësisë lokale që mos të shkaktojë panik me shpifje tek qytetarët e saj, për përfitime personale në këtë momentum”, theksoi Lekaj.
Gazeta Express ka kontaktuar edhe Prokurorinë, të cilët kanë thënë se rasti nga aty ka kaluar në kundërvajtje.
“Është njoftuar prokurori kujdestar i Departamentit të Përgjithshëm, rasti ka kaluar në kundërvajtje, duke u bazu mbi ligjin e ri të kodit penal merret policia me këtë rast”, ka thënë për Express zëdhënësja për informim në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
Ndërkaq Policia e Kosovës në raportin 24 orësh e ka quajtur veprimin e Lekajt si vandalizëm. Aty thuhet se është njoftuar prokurori kujdestar me urdhër të të cilit është iniciuar rasti.
“VANDALIZMI Gllogoc 02.10.2019-13:35. Lidhur me rastin në fjalë, ku një person mashkull K/Shqiptar kishte hequr një bulon të mbrojtësit të rrugës që ndante shiritat e rrugës në mes vete është njoftuar prokurori kompetent dhe me urdhër të tij është iniciuar rasti”, thuhet në raportin e policisë.
Ndërkaq se policia dhe Prokuroria janë duke e hetuar rastin e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe zëdhënësja e policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Në bashkëpunim me Prokurorinë përkatëse jemi duke punuar në këtë rast”, ka thënë Ahmeti.