Ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli po bën paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara në Hagë. Ndaj tij rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai u deklarua i pafajshëm ndaj këtyre akuzave.
“I nderuari gjykatës, i dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë, se jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Veseli kur u pyet nëse dëshiron të deklarohet i pafajshëm apo fajtor për aktakuzën.
Veseli, që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u arrestua më 5 nëntor dhe u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Ai dyshohet për vepra penale që kanë të bëjë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.
Sekretarja e Gjykatës, pasi lexoi dhjetë pikat e aktakuzës, tha se ekziston dyshimi i bazuar se Veseli është penalisht përgjegjës për këto krime.
Para Dhomave të Specializuara paraqitjen e parë të hënën, më 9 nëntor, e ka bërë ish-presidenti Thaçi, i cili është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.