Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli mbrëmë deklaroi se nga LDK dhe VV i kanë dërguar njerëz të bisedojnë për një koalicion të mundshëm. Megjithatë, zëdhënësi i VV’së, Arlind Manxhuka po thotë se kjo nuk është e vërtetë.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Manxhuka ka publikuar një intervistë të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, ku ai pyetet për këtë temë.
“Edhe sa herë duhet t’ju gënjejë Kadri Veseli që ta kuptoni VETËVENDOSJE!-n”, ka shkruar Manxhuka. Sidoqoftë, Veseli mbrëmë tha se LDK e as VV nuk kanë nevojë të mashtrojnë opinionin, dhe t’i dërgojnë njerëz për t’i kërkuar të qeverisin bashkë.
“Nuk kanë nevojë me e mashtru opinionin për izolim e të më çojnë mu njerëz me ba Qeveri të përbashkët. Me asnjërin s’kam me pasë qeveri. As këta që shkuan, nuk kanë shanse. As këta që vijnë, nuk kanë me pasë shancë me këtë mentalitet, partneritet në qeverisje të përbashkët. As këta që po kalojnë nuk kanë nevojë me dergu njerëz me u marrë vesh me shiqu qysh me e ba qeverinë. Ju kam tregu si syni. Po edhe këta që po hyjnë tash s’kanë të nevojë të flasin PDK me qenë pjesë e tyre. PDK nuk do të jetë me asnjë palë”, ka thënë Veseli në një intervistë për Reporterin.
Megjithatë, se një gjë e tillë mund të ndodhë, ditë më parë e tha edhe vet Ministri i jashtëm dhe numri dy në VV, Glauk Konjufca, i cili deklaroi se nuk kanë vija të kuqe me asnjë parti, përfshirë këtu LDK’në.
Ndërkaq, edhe vet Kurti më herët kishte deklaruar se nuk janë në një pozitë të vendosin se me cilën parti duan të bëjnë koalicion.
Kujtojmë që shumë shpejt në Kosovë pritet të formohet Qeveria e re, me gjasë nga koalicioni LDK-AAK-Nisma, nëse Presidenti i jep mandatin partisë së Isa Mustafës.
Kjo pasi VV po refuzon t’i dërgojë Presidentit Thaçi propozimin për Kryeministrin duke insistuar se duhet shkuar në zgjedhje pas pandemisë.