Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka theksuar se me iniciativën e tij do të ndodhë themelimi i Tribunalit Ndërkombëtar, ku do të gjykohen të gjitha krimet dhe gjenocidi i kryer nga Serbia gjatë luftës së ndodhur në Kosovë.
Në një intervistë për Klan Kosova, ai ka thënë se Kosova nuk kërkon hakmarrje, por kërkon drejtësi dhe drejtësia do të vihet përmes Tribunalit Ndërkombëtar, ku do të gjykohen personat përgjegjës për gjenocidin e kryer në Kosovë.
“Tribunali do të ndodh, Serbia do të përgjigjet për gjenocidin. Kosova nuk kërkon konflikt, por kërkon drejtësi për krimet dhe gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë. Drejtësinë do ta qojmë në vend”, ka thënë Veseli dhe shtuar se presidenti i Republikës së Kosovës dhe kryeministri i Republikës së Kosovës e kanë përshëndetur iniciativën e tij.
Ai ka thënë se kjo është iniciativë e tij personale dhe tërë përgjegjësinë për këtë do ta mbajë ai vet.
“Iniciativa ime nuk ka të bëjë me kushtëzim të dialogut. Marrëveshja historike do të ndodh. Tribunali do të ndodhë, ne nuk do të kushtëzojmë drejtësinë, sepse kjo është e drejtë kombëtare dhe ndërkombëtare e drejtësisë. Në çështjen e dialogut Kosovë – Serbi, do të ec përpara. Ne nuk i frikësohemi as një gjëje, ne do të ecim përpara”, tha Veseli dhe shtoi se duhet të ketë koordinim të institucioneve shtetërore dhe atyre politike në Kosovë.
“Mundesh me fituar vota vetëm duke e sha Serbinë çdo ditë, por një ditë duhet të ulemi në bisedime me Serbinë, por duhet të ulemi me mend. Kemi dhënë shumë për këtë vend, kemi derdh edhe gjak, kemi ec përpara me partnerët ndërkombëtar dhe do të vazhdojmë”, tha ai.
“Nuk me intereson a e fitoi një votë, a e humbi një votë apo dhjetë vota, nuk me intereson edhe nëse bijë në opozitë. Nuk e kam ndërmend me jetuar si derr i kënaqur në pushtet”, tha Veseli.