Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, është takuar me kryesuesin e Asociacionit Parlamentar të NATO-s në Kanada, deputet federal, njëherësh zv/kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Kanada-Kosovë në parlamentin kanadez, Borys Wrzesnewskyj.
Sipas njoftimit për media, Veseli dhe deputeti Wrzesnewskyj biseduan për raportet mes Kosovës dhe Kanadasë, dhe vlerësuan se kjo traditë e bashkëpunimit duhet vazhduar duke u thelluar më tej në të ardhmen.
Veseli ka thënë se me shtete mike në krah, si Kanadaja, Kosova ndihet e sigurt në arritjen e aspiratave të saj për avancim të mëtejmë të demokracisë, zhvillim ekonomik dhe ecje më të shpejtë në rrugën e integrimit euro-atlantik.
Në njoftim thuhet se, kryeparlamentari e njoftoi Wrzesnewskyj edhe për vendimet e Kuvendit të Kosovës për krijimin e Ushtrisë, duke potencuar përkushtimin e Kosovës për t’u bërë sa më shpejtë anëtare e NATO-s.
Deputeti Wrzesnewskyj nga ana e tij, falënderoi kryetarin Veseli dhe institucionet e Kosovës për pritjen e ngrohtë që iu bë gjatë vizitës, duke garantuar mbështetjen e shtetit të tij për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.