Shefi i PDK-së, Kadri Veseli ka vazhduar me diskursin kundër korrupsionit. Ka disa dite kur Veseli shihej përkrah ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismali, duke promovuar punën e kësaj ministrie.
Sot ai ka thënë se bashkëpartiku i tij tjetër, Abelard Tahiri, e ka dëshmuar vetën me punën që ka treguar në Ministrinë e Drejtësisë.
Ai ka thënë se ka arritur që t’i sekuestrojë afër 40 milionë euro nga kriminelët dhe keqpërdoruesit.
“Abelard Tahirit, si politikan i ri premtues, i kam dhënë mundësinë ta dëshmojë veten si Ministër i Drejtësisë gjatë këtyre dy vjetëve. Me punë të pandalshme, pasuria e sekuestruar nga kriminelët dhe keqpërdoruesit e taksave ka arritur në afër 40 milionë euro”, tha Veseli nëpërmjet një postimi në “Facebook”.
Ai tregoi se ku do të investohen milionat e sekuestruara.
“Këto miliona do të investohen në krijimin e vendeve të reja të punës, në krijimin e mundësive për të rinj, që të mund të qëndrojnë këtu dhe së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për shtetin. Në vend të veturave luksoze të pasanikëve të korruptuar, do të kemi investime cilësore për të rinjtë”, tha ai.
“Ky është një shembull i luftës kundër korrupsionit dhe një prej mënyrave më të mira për ta vazhduar luftën është promovimi i njerëzve të rinj dhe kompetent si Abelard Tahiri”, thuhet në fund të postimit të Kadri Veselit.