Fjalë Kyçe

Veseli: Sot u largua vendimi mashtrues i reciprocitetit, kurth i ngritur nga Kurti

Veseli: Sot u largua vendimi mashtrues i reciprocitetit, kurth i ngritur nga Kurti

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se reciprociteti, taksa, demarkacioni dhe dialogu janë keqpërdorur në vazhdimësi për interesa të politikës ditore.

Ai thotë se këto tema u keqpërdoren nga një grusht partish që ndryshojnë qëndrime varësisht nëse janë në pushtet ose në opozitë.

Veseli në Facebook ka shkruar se “sot, Qeveria e status quos dhe vazhdimit të mashtrimit, largoi vendimin mashtrues për reciprocitetin, dhe mirë ka bërë. Por, është vijim i një kurthe të ngritur nga Albin Kurti para ikjes nga pushteti, si shantazh politik dhe hakmarrje për t’i vendosur një tjetër pengesë Kosovës”.

“Por, ku po mbetet pjekuria dhe serioziteti ndaj partnerëve të shtetit të Kosovës, SHBA dhe BE, si dhe interesi i qytetarëve, me të cilin abuzohet turpshëm dhe për qëllime të pastra elektorale”, ka shkruar ai.

Veseli thotë se lufta për pushtet ka verbuar të dyja këto qeveri që dolën pas zgjedhjeve të 6 tetorit, duke keqpërdorur kauzat qytetare dhe dëmtuar interesat afatgjate nacionale të Kosovës.

“PDK-ja është partia e vetme që do ta përmbyllë misionin e nisur të shtetndërtimit, rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe anëtarësimin në BE dhe NATO”, ka thënë ai.