Të dhëna specifike dolën të enjten për dialogun e Brukselit, mes Prishtinës e Beogradit.
Në një anketë të bërë në Kosovë, Serbi e Shqipëri, qytetarët janë pyetur për aspekte të ndryshme të procesit.
74% e të anketuarve në Kosovë, 70% në Serbi, e 92% në Shqipëri e mbështesin dialogun.
Në përqindje më pak ku asnjë s’bie nën 55, të anketuarit kanë thënë se nuk shohin rezultate nga bisedimet që nisën më 2011.
Ndërkohë 75% e kosovarëve, 13% e serbëve e 77% e shqiptarëve, janë në favor të modelit të ujdisë finale me njohje në kufijtë ekzistues.
Kurse modeli tjetër me njohje veçse me shkëmbim territoresh ka gjetur mbështetje më të ulët.
“Ky model ka gjetur përkrahje,3% në Kosovë, 8% në Shqipëri, e 8% në Serbi” tha Shpat Balaj, hulumtues në Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ku morën pjesë edhe përfaqësues nga Tirana e Beogradi.
“Nuk do të ketë ndonjë normalizim marrëdhëniesh përderisa liderët tanë nuk nisin të sillen e të flasin me njëri tjetrin në mënyrë normale. Kjo nuk po ngjan dhe derisa kjo nuk ndodh s’do të kemi normalizim të procesit” theksoi Igor Bandoviq, nga Qendra e Beogradit për Studime të Sigurisë.
Po në publikimin e QKKS-ës, u treguan të dhëna se sa përkrahet nisma e bashkëpunimit rajonal “Ballkani i Hapur” .
Në Shqipëri e Serbi, kjo iniciativë ka mbështetje më të madhe pasi të dyja vendet janë anëtare.
Kurse në Kosovë e cila ende nuk ka hyr në “Ballkani i Hapur” përkrahja është e vogël, sipas anketës.
“Ne si përkrahim nismat tjera për shkak se është tepricë kur krijohen dy të tilla. Sinqerisht, ju duhet disi ta “vrisni” Tregun e Përbashkët Rajonal nëse doni që “Ballkani i Hapur” të mbijetoj. Sepse s’mund të merrni pjesë në të dyja”,tha Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës,Albin Kurti.