Fjalë Kyçe

Vetëvendosje kërkon që në këto zgjedhje të votojë edhe mërgata

Vetëvendosje kërkon që në këto zgjedhje të votojë edhe mërgata

Lëvizja Vetëvendosje njofton se sot ka mbajtur mbledhje me qendrat e saj, ku kryetari i partisë, Albin Kurti, sekretarja organizative, Vlora Haxhimehmedi dhe koordinatori i qendrave, Valon Hoti, kanë folur edhe për zgjedhjet e parakohshme.

Në njoftimin për media theksohet se Kurti foli rreth zhvillimeve të fundit politike, me theks të veçantë krijimin e rrethanave drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Teksa pritet vendimi zyrtar i Gjykatës Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje kërkon që data e mbajtjes së zgjedhjeve të jetë më e afërta e mundshme”, citohet të ketë thënë Kurti.

Në këtë takim, siç njofton VV-ja, po ashtu u fol edhe për rëndësinë e madhe që ka mërgata. “Shteti i Kosovës, përmes institucioneve kompetente, duhet ta bëjë sa më të lehtë mundësinë e votimit nga mërgata, e jo t’ua vështirësojë një gjë të tillë, siç është bërë në të kaluarën”, thuhet tutje.

Pas këtyre diskutimeve mbledhja vazhdoi me çështjet organizative. “Viti 2020, përkundër vështirësive që ka patur për shkak të pandemisë e zhvillimeve të tjera në vendin tonë, cilësohet si i suksesshëm organizativisht për Organizatën tonë. Në këtë vit, përmes procesit të brendshëm zgjedhor, kemi arritur të konsolidojmë një pjesë të madhe të strukturave tona organizative, teksa vitin po e përmbyllim me rreth 10 mijë anëtarësime të reja e me fitoret plebishitare në komunën e Besianës dhe në Veriun e Mitrovicës. Lëvizja Vetëvendosje dhe strukturat e saj organizative janë gati për referendumin që do të ndodhë në këto zgjedhje. Ndryshimi aq shumë i nevojshëm dhe i kërkuar nga populli, nuk ka asnjë arsye të mos lejohet që të ndodhë”, thuhet në fund të njoftimit të VV-së.