Fjalë Kyçe

Vetëvendosje nuk do të ankohet më në Kushtetuese rreth vendimit të fundit

Vetëvendosje nuk do të ankohet më në Kushtetuese rreth vendimit të fundit

Lëvizja Vetëvendosje ka lënë të kuptohet se nuk do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimit të Supremes për të moscertifikimin e bartësit të listës së saj Albin Kurti, dhe dy kandidatëve tjerë për deputetë Albulena Haxhiut e Bajram Mavriqit.

“E pamë vendimin e fundit të Gjykatës Supreme. Ky vendim i kundërvihej aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Zgjedhjet do të mbahen më 14 shkurt, ndonëse ka përpjekje për pamundësimin e tyre. Ankesa në Gjykatën Kushtetuese do t’u jepte shpresë këtyre përpjekjeve. Lista jonë me 110 kandidatë garon në referendumin e 14 shkurtit. Vazhdojmë me aktivitetet tona drejt fitores plebishitare”, thuhet në postimin e VV-së në Facebook.

Reagimi erdhi pak orë pasi Gjykata Supreme konfirmoi se moscertifikimi i kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, fillimisht nga KQZ-ja e pastaj edhe nga PZAP-ja, për zgjedhjet e 14 shkurtit, është i drejtë.

Në vendimin e publikuar pasditen e së premtes, Supremja e ka hedhur poshtë pjesërisht ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ishte ankuar ndaj vendimit të PZAP-së për largimin e Kurtit dhe katër kandidatëve të tjerë nga lista.

Në arsyetimin e Supremes thuhet se janë të detyruar që të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ndonëse, sipas Supremes, për praktikë gjithherë kanë pasur që të konsiderojnë dënimet plotësuese si kufizim të vetëm të së drejtës për t’u zgjedhur.

Përveç Kurtit, Supremja ka bërë të ditur se në garën zgjedhore nuk mund të marrin pjesë as Albulena Haxhiu e Bajram Mavriqi. Nga kandidatët e larguar të Vetëvendosjes, Supremja ka certifikuar Liburn Aliun e Labinotë Demi-Murtezin. Sipas Gjykatës, PZAP-ja ka gabuar në llogaritjen e afatit prej 3 vjetëve.

Me arsyetimin e njëjtë se PZAP-ja ka llogaritur gabimisht afatin prej 3 vjetësh, Supremja ka miratuar pjesërisht edhe ankesën e AAK-së. Kësisoj, nga katër kandidatët për të cilët është ankuar, Supremja ka kthyer në garë vetëm Shemsedin Dreshajn.

Për dallim nga Vetëvendosje dhe AAK-ja, ankesat e të cilave janë pranuar pjesërisht, Supremja ka hedhur poshtë ankesat e tri subjekteve politike. Në mesin e tyre edhe atë të Nismës Socialdemokrate, së cilës nga lista prej 110 kandidatëve për deputetë i janë larguar 12.