Fjalë Kyçe

Vetëvendosje prezanton kandidatët për kryetarë në Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan

Vetëvendosje prezanton kandidatët për kryetarë në Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan

Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar të shtunën kandidatët për kryetarë të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan – në një takim ku morën pjesë kryeministri në detyrë dhe kryetari i partisë, Albin Kurti, sekretari i përgjithshëm Alim Rama, koordinatori i qendrave dhe deputeti Salih Zyba, si dhe deputetët Armend Muja, Agim Bahtiri dhe Arjeta Fejza.

Kandidati i VV-së për Leposaviqin është Lulzim Hetemi, i cili aktualisht udhëheq komunën dhe për të cilin subjekti politik thotë se ka dëshmuar guxim dhe integritet në terren, duke e udhëhequr komunën “me dinjitet dhe besnikëri ndaj ligjit e qytetarëve”.

Për Zubin-Potok, kandidati është Vedat Mehmeti, kryesues i kuvendit komunal, që sipas VV-së synon “ta kthejë komunën në një hapësirë ku drejtësia dhe bashkëpunimi me qeverinë shërbejnë si mjete për zhvillim të përbashkët”.

Në Zveçan, kandidon Fetah Peci, të cilin partia e paraqet si “zëri i bashkimit dhe zhvillimit” me synimin për të “thyer izolimin dhe hapur mundësi të reja për banorët”.

Vetëvendosje ka deklaruar se këta kandidatë përfaqësojnë vizionin për zhvillim, drejtësi dhe barazi për çdo qytetar dhe janë “garancia për ndërtimin e institucioneve funksionale, sjelljen e investimeve dhe garantimin e qeverisjes që respekton ligjin”.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.