Fjalë Kyçe

Vetëvendosje s’e voton buxhetin, Murati thotë se nuk komunikohet me qeveri në detyrë dhe ilegale

Vetëvendosje s’e voton buxhetin, Murati thotë se nuk komunikohet me qeveri në detyrë dhe ilegale

Brenda një viti në Kosovë janë shkarkuar dy qeveri.

E para ajo e Albin Kurtit pas 51 ditësh qeverisje nga një mocion i ngritur nga ish partneri i saj LDK-ja, e e dyta Qeveria e Avdullah Hotit e cila të hënën në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese u cilësua si jo legjitime.

E pas tërë kësaj situate gjykata ka lënë vetëm një mundësi, dërgimin e vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda afatit prej 40 ditësh.

Mirëpo tashmë diskutabile mbetet votimi i projektbuxhetit të shtetit për vitin 2021, e nga i cili varet stabiliteti ekonomik në vend.

Në vazhdën e konsultimeve që po i bën ushtruesja e detyrës së Presidentit Vjosa Osmani me krerë e përfaqësues politik, nga ato që i të takojnë koalicionit qeveritar po kërkohet që para se të shpërbëhet Kuvendi, deputetët të votojnë këtë projektligj.

Por kështu nuk mendojnë në partinë e Albin Kurtit.

Sipas tyre vendi duhet të shkoj sa më parë në zgjedhje e pastaj një qeveri legjitime të dorëzoj në Kuvend buxhetin e i cili do të votohej më pas nga përbërja e re parlamentare.

Hekuran Murati në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk komunikon me qeverinë në detyrë.

Madje sipas tij  nga kjo qeveri është e pamundur që të hidhet në votim projektbuxheti.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk komunikon me qeveri në detyrë. Kjo gjë është parë  në rastin e ligjit Anti-Covid kur kryesia e Kuvendit nuk pranonte ta procedonte tutje projektligjin për shkak se kishim një qeveri në detyrë. Andaj është e pamundur që ky projektligj i një qeveri në detyrë, e për më tepër edhe ilegale e antikushtetuese, të hidhet në votim në Kuvend”, tha Murati për IndeksOnline.

Në një situatë të tillë ajo çka tash është e domosdoshme sipas Murati është që sa më parë të caktohet data e zgjedhjeve në mënyrë që pastaj buxheti të dorëzohet me kohë.

“Kështu që është e domosdoshme që data e zgjedhjeve të caktohet sa më herët që është e mundshme, me qëllim që një qeveri e re me legjitimitet të plotë të mund të dorëzojë buxhetin e ri në kohë”, nënvizoj Murati.

Në anën tjetër nga zyra e Kryeministrit për IndeksOnline  kanë thënë se Hoti është në komunikim të vazhdueshëm me grupet parlamentare dhe po angazhohet maksimalisht që përbërja aktuale e Kuvendit të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me buxhetin.

“Kryeministri Hoti vlerëson se buxheti është parakusht për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht mbështetje të bizneseve të prekura nga pandemia Covid -19”, tha Antigona Baxhaku, Këshilltare Politike.

Ndryshe buxheti më së largu duhet të votohet deri në muajin mars, përndryshe vendi rrezikon të hyjë në krizë financiare.