Fjalë Kyçe

Vetëvendosje shpall zgjedhjet e brendshme për kandidatë për kryetarë të komunave

Vetëvendosje shpall zgjedhjet e brendshme për kandidatë për kryetarë të komunave

Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur zgjedhjet e brendshme për të caktuar kandidatët për kryetarë të komunave për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Kandidatët mund të paraqesin kandidaturat nga sot deri më 3 korrik në ora 17:00.

“Në kuadër të zgjedhjeve të brendshme dhe në përputhje me Statutin dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Lëvizja VETËVENDOSJE!, nga sot shpallë zgjedhjet e brendshme për kandidatët për kryetarë komunash. Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) njofton të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilët janë të interesuar për të kandiduar për pozicionin e kandidatit për Kryetar të Komunës nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, që të paraqesin deklaratën e kandidaturës nga data 1 korrik deri më 3 korrik 2021, ora 17:00. Pas dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm, Komisioni Zgjedhor Ad Hoc i Qendrës (KZAQ) dhe KZP do të bëjnë verifikimin e tyre dhe do ta pajisë kandidatin/en me formularin e grumbullimit të nënshkrimeve të nevojshme për zyrtarizimin e kandidaturës, ashtu siç është e paraparë me Statutin dhe Rregulloren e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti më demokratik e më transparent sa i përket vendimmarrjes, veprimtarisë e organizimit. Në frymën e demokracisë së brendshme ne urojmë për një proces zgjedhor sa më të mirë dhe ftojmë për përfshirje sa më të madhe rreth këtij procesi”, thuhet nga Vetëvendosja.

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ndryshimi i gjithmbarshëm do të jetë edhe më i shpejtë e më i thellë pas 17 tetorit.

“Ky proces zgjedhor i brendshëm do t’i paraprijë mobilizimit e përgatitjeve për të mundësuar që ndryshimi i madh i 14 shkurtit të shtrihet edhe nëpër komuna. Referendumi i 14 shkurtit do të kompletohet më 17 tetor, kurse ndryshimi i gjithmbarshëm do të jetë edhe më i shpejtë edhe më i thellë pas 17 tetorit”, thuhet nga Vetëvendosja.